Jam një
djalë 16-vjeçar dhe shumë i ndrojtur. Si mund të
largohet kjo ndrojtje sepse vërtet vetëm ai që është i
ndrojtur e di se sa e vështirë është të përballesh me
këtë gjendje. Çdo ditë njerëzit në shkollë dhe kudo të
shikojnë sikur një të mjerë por në realitet vërtet unë
jam shumë i mençur, por veprimet e mia tregojnë të
kundërtën. Kam temperaturë dhe ndiej se gjithë botën e
kam mbi kokë edhe në qoftë se jam vetëm me një njeri e
lëre më në ndonjë ndejë ku ka më shumë njerëz. Shumë
herë qaj për këtë gjendje sepse vërtet është shumë e
rëndë ngase çdo ditë përballesh me këtë. Unë i fal 5
kohët e namazit dhe ju lutem nga zemra të më jepni një
shpjegim dhe një ''terapi''. Po them terapi sepse Islami
vërtet është shërim për gjithçka.
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja
dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij
Muhamed, mbi familjen e tij,
mbi
shokët
e tij
dhe mbi
të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij
deri në Ditën e Gjykimit.
Vëlla i nderuar, ju përshëndesim me selam dhe ju urojmë
mirëseardhjen në faqen klubikulturor.com. Do të
mundohemi që t’ju japim përgjigje në lidhje me problemin
tuaj, por ju duhet ta keni parasysh se fusha e problemit
tuaj nuk është profesion i yni, që të arrijmë ta
shtjellojmë në të gjitha aspektet e nevojshme.
Megjithëkëtë ne do të flasim në disa këndvështrime, të
cilat do të arrijmë t’i përmbledhim në këta rreshta.
Mendojmë se çështja juaj është e thjeshtë dhe ju
ballafaqoheni me një problem që në psikologji quhet
“Social Fobia” dhe nënkupton “Frikë nga vlerësimi
negativ ne situata shoqërore”. Vetë fjala "fobi" aludon
për një frikë të fortë nga rrethanat, sendet, ndodhitë
apo edhe ndjenjat, por në fakt kjo frikë është joreale
dhe e pasaktë. Me fjalë të tjera, është parafytyrim i
një frike mosekzistuese ose më mirë të themi të
panevojshme. Frika në përgjithësi është ndjenjë e
rëndësishme për njeriun dhe luan rol të veçantë në jetën
e tij, por ajo mund të ketë rol negativ nëse ndodh rreth
gjërave nga të cilat nuk ka nevojë të frikësohemi.
Sido që të jetë, ju këshillojmë vëlla i nderuar që të
kuptoni se ju nuk jeni me personalitet të dobët dhe nuk
ju mungon diçka të cilën të tjerët e kanë. Ju duhet ta
keni parasysh se të gjithë njerëzit në këtë botë, duke
filluar nga më i mençuri, kanë mangësi dhe kanë nevojë
të përmirësohen, pasi përsosmëria absolute i takon vetëm
Allahut, Krijuesit të njerëzve.
Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, thotë:
“Çdo bir i Ademit (njeri) është gabimtar dhe gabimtari
më i mirë është ai që kërkon falje për gabimet.”
Shënon Tirmidhiu me zinxhir të fortë transmetuesish.
Ndjenja se të gjithë në shoqëri ju shikojnë si të mjerë
dhe të dobët është një ndjenjë e pasaktë, pasi të gjithë
ata janë njëjtë si ju, gabojnë si ju dhe përmirësohen
nga të tjerët si ju. Pa dyshim se dikush mund të jetë më
i dalluar se të tjerët, por ju assesi mos e nënvlerësoni
veten se nuk jeni aty ku kanë arritur shokët tuaj.
Lëreni anash trysninë që ia bëni vetës duke paramenduar
se jeni person i paaftë dhe mos e bëni shumë
problematike nëse gaboni para të tjerëve, pasi është
normale të gabojmë, të mos kemi aftësi të gjendemi si
duhet në situata të ndryshme. Madje shumica e njerëzve
kur janë në situata me njerëz shumë, ose në raporte me
ta, manifestojnë sjellje të pakontrolluara, nuk dinë të
bisedojnë mirë, gabojnë në vlerësime, shtangen nëse u
drejtohet ndonjë pyetje e papritur, befasohen, etj.
Prandaj ju lus që në veten tuaj të zvogëloni komentimin
e imtësive që ju ndodhin në sjellje e raport me të
tjerët.
Lus Allahun e Lartësuar t’jua lehtësojë dhe t’ju japë
një zemër të qetë dhe të sigurt në vetvete dhe ta gjeni
më të mirën në këtë botë dhe në botën tjetër. Amin!