Desha të
pyes rreth vizitës në varreza. A është e preferuar të
bëjmë dua në varreza dhe të këndojmë Kuran apo Jasin për
të vdekurit qoftë në varreza apo në shtëpi, e çfarë
dobie kanë të vdekurit nga kjo.
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja
dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij
Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që
ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Në letrën tuaj ngrihen disa pyetje, kështu që për të
qenë më e kuptueshme përgjigjja, do të flasim në disa
pika.
Vizita e varrezave:
Në fillim të shpalljes, posaçërisht në Mekë, vizita e
varrezave ishte e ndaluar për muslimanët, mirëpo më vonë
është lejuar kjo, prandaj ka konsensus (ixhma) te
dijetarët e nderuar se vizita e varrezave për meshkujt
është sunet. Por ata kushtëzojnë që gjatë vizitës të
largohemi nga gjërat e ndaluara, të cilat hidhërojnë
Allahun e Lartësuar, sikurse t`u lutemi të vdekurve, të
kërkojmë ndihmë nga ata (të kërkojmë ndihmë për ndonjë
nevojë nga të vdekurit është shirk), vajtimi i tyre,
madhërimi i tyre duke pretenduar në formë absolute se
janë nga banorët e xhenetit, etj.
Vizita e varrezave për muslimanin synon dy objektiva:
- Që muslimani me këtë vizitë ta kujtojë vdekjen dhe
ahiretin dhe se fundi i tij së shpejti do të jetë ose
xheneti ose xhehenemi, prandaj muslimani me këtë e
këshillon veten dhe vetëdijesohet se për çfarë ia vlen
të japë mund me të drejtë. Ky është objektivi kryesor i
vizitës së varrezave për muslimanin ashtu si kuptohet
edhe nga hadithi i Muhamedit salallahu alejhi ue selem:
“...vizitoni varrezat, sepse ato ua përkujtojnë
vdekjen.” (Buhariu dhe Muslimi).
Gjithashtu thotë: “Unë u pata ndaluar nga vizita e
varrezave, por tani vizitojini ato, se kjo e ua
përkujton botën tjetër.”
- Qëllimi tjetër është që të bëjmë lutje dhe të kërkojmë
falje nga Allahu i Lartësuar për të vdekurin.
Vizita e varrezave për femrat:
Në lidhje me vizitën e varrezave për femrat, ka
mospajtim te fukahatë:
Mendimi i parë: Dijetarët hanefi, maliki, shafi dhe një
transmetim nga Imam Ahmedi e shohin të lejuar.
Mendimi i dytë: Medhhebi hanbeli e ndalon vizitën e
varrezave për femrat. Gjithashtu këtë mendim e
përzgjedhin një grup i fukahave të vjetër nga hanefitë e
malikitë dhe shumë nga dijetarët bashkëkohorë të njohur
për metodologji tradicionaliste.
Mendimi i shumicës bazohet mbi atë se pasi lejimi pas
ndalesës, i cili përmendet në hadith, është i
përgjithshëm, i përfshin edhe meshkujt edhe femrat.
Fjala është për hadithin:“Unë
u pata ndaluar nga vizita e varrezave, por tani
vizitojini ato, se kjo e ua përkujton botën tjetër.”
Po të vazhdonte ndalesa e vizitës së varrezave për
femrat, ato do t`i përjashtonte Muhamedi salallahu
alejhi ue selem në këtë hadith të përgjithshëm. Pasi kjo
nuk ka ndodhur, atëherë edhe për meshkujt edhe për
femrat vlen e njëjta dispozitë. Gjithashtu vërtetohet në
një hadith të saktë në koleksionin e Muslimit, se Aishja
e pyet të Dërguarin, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të,
se çfarë të thotë kur t`i vizitojë varrezat dhe ai i a
mëson lutjen. E, po të ishte e ndaluar vizita për
femrat, atëherë do t`ia tërhiqte vërejtjen Aishes, se
kjo është e ndaluar për femrat.
Ndërsa argumentimi i atyre që thonë se është e ndaluar
një praktikë e tillë për femrat bazohet në hadithin e
saktë: “Allahu i mallkoftë ato femra që i vizitojnë
varrezat!” Shënon Ahmedi, Tirmidhiu, Ibën Maxhe dhe
Albani e cilëson të saktë.
Mallkimi në hadith vërteton se sa i ndaluar është ky
veprim. Pastaj ata thonë se femra është e dobët dhe në
ato momente të mërzisë gjatë vizitës mund të bëjë
veprime që hidhërojnë Allahun e Lartësuar, si vajtimi,
etj.
Megjithëkëtë, e sakta është se ky hadith, edhe pse është
i saktë, është i hershëm dhe ka të bëjë me kohën kur
muslimanët e kishin të ndaluar vizitën e varrezave në
përgjithësi. Pra, ky hadith është i anuluar me hadithin
“Unë u pata ndaluar nga vizita e varrezave, por tani
vizitojini ato, se kjo e ua përkujton botën tjetër”.
Kjo gjë vërtetohet nga Aishja, e cila pas vdekjes së të
Dërguarit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, vizitoi
varrezat dhe disa e kritikuan se si bën një veprim të
këtillë derisa Muhamedi salallahu alejhi ue selem, ka
thënë:“Allahu i mallkoftë ato
femra që i vizitojnë varrezat!” Ajo tha se ky hadith
është i vërtetë, por pas këtij hadithi ai ka thënë:
“Unë u pata ndaluar nga vizita e varrezave, por tani
vizitojini ato, se kjo e ua përkujton botën tjetër”.
Nga kjo thënie e Aishes kuptojmë se ky hadith është i
anuluar.
Gjithashtu vërtetohet te Buhariu dhe Muslimi se Muhamedi
me një rast kaloi pranë një gruaje, e cila ishte ndalur
para varrit të djalit të saj dhe e vajtonte atë. Ai e
këshilloj ta ketë frikë Allahun dhe mos ta vajtojë
djalin, por nuk i tha se vizita e varrezave është e
ndaluar për femra.
Sido që të jetë, edhe pse argumentet më të qëndrueshme
janë në anën e atyre që lejojnë vizitën në varreza, të
gjithë dijetarët janë të pajtimit se nëse vizita e
femrave shkakton ndonjë ndalesë (haram) ose tejkalim të
kufijve, atëherë kjo është e ndaluar. Prandaj duhet të
kemi kujdes që edhe nëse vizitohen varrezat nga femrat,
kjo të bëhet konform dispozitave islame dhe të mos jenë
të shpeshta.
Çfarë lutjeje lexohet gjatë vizitës së varrezave ose
cilat janë gjërat e preferuara për t’u bërë gjatë
vizitës së varrezave:
Gjatë vizitës së varrezave është sunet të këndohet një
lutje e posaçme, të cilën na e tregon i Dërguari
salallahu alejhi ue selem në hadith.
“ES-SELAMU ALEJKUM EHLED-DIJARI MINEL-MU'MINIINE VEL
MUSLIMIINE VE INNA INSHA-ALLAHU BIKUM LAHIKUN. NES'ELU-ILAHE
LENA VE LEKUM EL-AFIJE.”. Në shqip: “Es-selamu alejkum o
ju banorë të këtij vendi, besimtarë e muslimanë. Edhe ne
inshallah, me urdhrin e Allahut, kur të vijë përcaktimi
i Tij, me ju do të radhitemi. Lusim Allahun për ne dhe
për ju që të na mëshirojë!”
Gjithashtu preferohet të bëjmë lutje të ndryshme për
faljen e mëkateve për shpëtimin e tyre, shpërblimin me
xhenet, etj.
Lejohet edhe të ngrihen duart gjatë lutjes, por kërkohet
që gjatë lutjes të kthehemi nga kibla dhe jo nga varret.
Pastaj është mirë që gjatë vizitës ta kujtojmë veten se
aty do të jetë vendbanimi i ardhshëm i yni dhe të
mundohemi të shfrytëzojmë nga koha jonë e mbetur.
Gjatë ecjes në varreza është sunet që t`i zbathim
këpucët, ashtu si vërtetohet në një hadith që arrin
shkallën e hasenit. Por nëse ecja pa këpucë është e
vështirë, atëherë lejohet të ecim të mbathur. Është e
ndaluar që të shkelim mbi varre. Këto ishin disa norma
që kanë të bëjnë gjatë vizitës së varrezave.
Leximi i Kuranit apo i sures “Jasin” në varreza gjatë
vizitës së varrezave:
Në lidhje me leximin e Kuranit për të vdekurit kemi
folur më herët në disa tema dhe për më gjerësisht mund
të shikoni temat të cilat gjenden në rubrikën e fikhut.
Ndërsa këtu themi se edhe pse shumica e ulemave lejojnë
që leximin e Kuranit t`ia dedikojmë të vdekurve, në
praktikën e Muhamedit salallahu alejhi ue selem dhe të
gjeneratave të para nga sahabët e tabiinët, nuk ishte e
njohur që leximin e Kuranit t`ia dedikonin të vdekurve.
Prandaj, më e drejtë do të ishte ta kufizojmë veten në
ato veprime të cilat i praktikonte i Dërguari salallahu
alejhi ue selem ndaj të vdekurve dhe në ato gjëra që ai
na porositi, sikurse lutja për ta e kërkimi i faljes,
dhënia e sadakasë, pagimi i borxhit, etj. Allahu e di më
së miri!