Selamu alejkum. Desha të dija për punën e rukjes. Disa
hoxhallarë bëjnë rukje. Sa është e lejuar rukja? Kam
dëgjuar që nuk ish mirë të bëhej rukje, se kish diçka
lidhje me Ditën e Gjykimit. Selam alejkum!
Përgjigja:
Falënderimet i
takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të
Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të
gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e
Gjykimit.
Rukja ose shërimi me Kuran dhe dua të Profetit salallahu
alejhi ve slem është e lejuar dhe ka bazë në Islam.
Allahu i Lartësuar thotë: “Ne të shpallim Kuranin, që
është shërim dhe mëshirë për besimtarët.” (Isra, 72)
Prandaj leximi i Kuranit me qëllim të
mbrojtjes nga magjia, mësyshi, cytjet e shejtanit dhe të
xhinëve është i vërtetuar për besimtarin. Për këtë kemi
rastin ku edhe vetë Muhamedit salallahu alejhi ue selem
i ishte bërë magji nga një person që quhej Lebid bin
Aësem. Dhe vërtetohet në Buhari e Muslim se ky ishte
edhe shkaku i zbritjes së dy sureve të fundit të
Kuranit, kapitujt “Felek” dhe “Nas”.
Por duhet të bëjmë dallimin ndërmjet shërimit të saktë
dhe të lejuar, i cili është i argumentuar me hadithe të
sakta, dhe atyre të cilët pretendojnë se bëjnë një gjë
të tillë, por merren me mashtrime, me të cilat i joshin
njerëzit të cilët kanë nevojë dhe kështu përfitojnë prej
tyre. Për më gjerësisht për këtë lexo këtu:
Kurse
ajo që keni dëgjuar ju në lidhje me rukjen dhe Ditën e
Gjykimit ka të bëjë me një hadith të cilin e shënon
Muslimi dhe të tjerët, ku Muhamedi salallahu alejhi ve
selem ka thënë:
“Në Ditën e Kiametit nga umeti im do të hyjnë në xhenet
70 mijë besimtarë pa kurrfarë llogarie e dënimi.” E kanë
pyetur Muhamedin salallahu alejhi ve selem se kush janë
ata. Pejgamberi salallahu alejhi ve selem u përgjigj:
“Ata janë që nuk kërkojnë t`u bëhet rukje, e as nuk e
përdorin kejjin (formë e shërimit mjekësor me zjarr) dhe
nuk përdorin lëshimin e pëllumbave për fat, por
mbështeten te Zoti i tyre.”
Në këtë hadith, Muhamedi salallahu alejhi ve selem
tregon për veçoritë e atyre besimtarëve që do të hyjnë
në xhenet pa u llogaritur dhe pa u dënuar; ky grup arrin
70 mijë besimtarë nga umeti i Muhamedit (salallahu
alejhi ve selem) dhe janë ata muslimanë që kanë arritur
t`i afrohen përsosmërisë dhe kulminacionit në
mbështetjen ndaj Allahut të Lartësuar. Prandaj, nga
veçoritë e tyre është se ata nuk kërkojnë nga të tjerët
që t`u këndojnë atyre Kuran (pra, nuk kërkojnë nga të
tjerët që t`u bëjnë rukje).
Për këtë, besimtarët të cilët shpresojnë dhe dëshirojnë
të jenë në këtë grup nuk kërkojnë nga të tjerët t`u
bëjnë rukje atyre, me qëllim që të arrijnë t`i
realizojnë në veten e tyre ato cilësi të cilat i ka
përmendur Muhamedi salallahu alejhi ve selem. Allahu e
di më së miri!