Pas trajtimeve të cilat i bëmë në lidhje me kadanë dhe kaderin, krijimin e Allahut të Madhërishëm, Dëshirën e Tij dhe çështjeve tjera, në vazhdim do të sqarojmë se si Allahu e krijon të keqen, pse e krijon atë, si është e mundur që ti atribuohet e keqja Atij dhe në çfarë formë i atribuohet e keqja Atij.
Fillimisht duhet kuptuar se Allahu është Krijuesi i çdo gjëje; i së mirës dhe i së keqes, pasi që Ai është i vetmi Krijues dhe Shpikës. Të gjitha gjërat përveç Allahut janë të krijuara dhe të gjitha ato janë të krijuara prej Allahut të Madhërishëm.
Ai në Kuranin fisnik thotë:
“E nëse i qëllon ata (munafikët) ndonjë e mirë, thonë: “Kjo është nga All-llahu”. E nëse i godet ndonjë e keqe thonë: “Kjo është nga ti (Muhammed)”. Thuaju: “Të gjitha janë nga All-llahu!” Ç’është me këtë popull që nuk kupton gati asnjë send?” (Nisa, 78)
Pra Allahu është krijuesi i të gjithave, i të mirës dhe i të keqes dhe ky ajet mjaft qartë e vërteton këtë, kur thotë: “Të gjitha janë nga All-llahu!” dhe e demanton pretendimin e Munafikëve.
Mirëpo këtu duhet kuptuar atë që pak më herët e kemi përmendur se çdo e keqe e cila krijohet nuk është objektive dhe e kërkuar në vete. Me fjalë tjera, të gjitha të këqijat të cilat ndodhin me dijen dhe me vullnetin e Tij nuk janë të këqija absolute, por në vete bartin urtësi, synime dhe objektiva të cilat realizohen nëpërmjet këtyre gjërave. Prandaj duhet ditur sa pavarësisht sa e keqe mund të duket një gjë, në përfundim të gjitha veprat e krijuara nga Allahu janë të mira dhe të urta. Një nga cilësitë e Allahut të Lartmadhëruar është edhe “El Hakiim”-“I Urti” dhe kuptimi i kësaj cilësie është se të gjitha veprat e Tij janë plotësisht të sakta, të drejta, të përsosura, kanë qëllime e objektiva dhe asnjë nuk është e kotë dhe e padrejtë. Por disa nga këto qëllime i kupton njeriu, ndërsa shumë nga këto nuk i kupton.
Për këtë Allahu i Lartësuar thotë:
“Por mund që ju ta urreni një send, e ai është shumë i dobishëm për ju, dhe mund që ju ta doni një send, e ai është dëm për ju. All-llahu e di (fundin e çdo sendi) e ju nuk dini.” .(Bekare, 216)
Po ashtu thotë:
“...ndodh që All-llahu të japë shumë të mira në një send që ju e urreni.” (Nisa, 19)
Ibën Kajimi thotë: “Allahu i Lartmadhëruar është i Urtë, nuk bënë një gjë kot dhe pa ndonjë qëllim, dobi dhe urtësi. Ky objektiv është caku final i asaj vepre (të krijuar)...”
Prandaj muslimani kur goditet me ndonjë fatkeqësi bënë durim, pasi që e di se ajo ka ndodhur me caktimin e Allahut dhe ajo fatkeqësi ose e keqe nuk është objektive në vete, por në brendësi bartë urtësi të cilat ndoshta gjatë atyre momenteve nuk do të arrij ti kuptoj, bile ndoshta ai, kuptimin e saktë të asaj ndodhie nuk do ta kuptoi kurrë, megjithëkëtë, ai bënë durim dhe i dorëzohet caktimit të Allahut të Lartësuar, pasi që Ai nuk vepron ndonjë gjë kot apo për ti bërë keq njeriut. Muhamedi , lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, thotë:
“Është për t'u çuditur puna e besimtarit! Çdo punë për të është hair (mirë), nëse ballafaqohet me gëzim e lumturi, ai falënderon Allahun dhe kjo është e dobishme për të. Nëse e godet ndonjë e keqe ose dëm, ai bënë durim (sabër) dhe kjo është mirë për të. Këtë e gjejmë vetëm te besimtari" (Muslim).
Do ta marrim një shembull për ta kuptuar më qartë këtë:
Allahu i Lartësuar e caktoi ( e bëri kader) që i Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, dhe muslimanët ta humbasin betejën e Uhudit dhe kështu ndodhi. Ky pësim ishte fatkeqësi dhe sprovë për besimtarët, madje shumë nga mynafikët (dyfytyrësat) të cilët jetonin me muslimanët filluan të shpërndajnë dyshime se, derisa Muhamedi (slallahu alejhi ve selem) e humbi luftën, atëherë a mund të jetë e saktë thirrja e tij dhe nëse ai do të ishte Profet i vërtetë, atëherë Allahu nuk do ta lejonte të pësonte disfatë, por do ta ndihmonte në këtë betejë.
A mund të thuhet se Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, dhe besimtarët e humbën luftën dhe u goditën me këtë të keqe (fatkeqësi), sepse Allahu i Plotfuqishëm nuk ishte në anën e besimtareve, apo kjo humbje ndodhi përkundër vullnetit të Lartmadhrishmit!
Jo, assesi nuk ishte as njëra e as tjetra, por Allahu e caktoi (e bëri kader) që ata ta humbasin këtë beteje e të korrin sukses idhujtarët, që besimtarët të vetëdijesohen e këndellen për sjelljet dhe kundërshtimin që realizuan ndaj të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të. Një pjesë e besimtarëve e thyen urdhrin e Profetit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, dhe nuk dëgjuan urdhrin e tij që të mbesin dhe ta ruajnë kodrën, gjatë betejës, por ata lëshuan vendin dhe kështu si tërheqje vërejtje, për të padëgjueshmit dhe si sprovë për të tjerët Allahu i Madhëruar e bëri kader që muslimanët të pësojnë disfatë, me dëshirën dhe vullnetin e Tij.
Allahu i Lartësuar në lidhje me këtë ndodhi foli në më shumë se pesëdhjetë ajete në suren Ale Imran[1]. Ai në këto ajete u tërheq vërejtjen besimtarëve për shkaqet dhe arsyet e fitores respektivisht të humbjes, duke krahasuar se cilat ishin shkaqet të cilat e bënë që muslimanët të fitojnë në betejen e Bedrit dhe cilat ishin ato që shkaktuan humbjen e betejës së Uhudit.
Dëgjo çfarë Allahu i Madhëruar thotë:
152 “Vërtet Allahu e plotësoi premtimin e Vet, kur ju me vullnetin e Tij e thyet armikun. Por, kur ju u frikësuat, u grindët midis jush dhe kundërshtuat (Profetin a.s.), pasi Ai ju tregoi atë që pëlqenit, (Allahu e tërhoqi ndihmën e Vet). Disa nga ju dëshirojnë këtë botë, ndërsa të tjerë nga ju dëshirojnë botën tjetër. Pastaj Ai, për
t’ju provuar, bëri që të zmbrapseni para armikut dhe pastaj, sigurisht që jua fali atë gabim. Allahu ka mirësi të madhe për besimtarët.”
153 “Kur ju morët malin dhe nuk i vinit vesh askujt, të Dërguarin e kishit prapa e ju thërriste, Allahu ju dënoi me dëshpërim pas dëshpërimit, që të mos pikëlloheni as për atë që ju doli duarsh, as për atë që ju goditi. Allahu di gjithçka që punoni ju.”
154 “Pastaj, pas dëshpërimit tuaj, (Allahu) ju dërgoi qetësinë – një gjumë, që kaploi një grup prej jush. Kurse grupi tjetër (hipokritët) kujdesej vetëm për veten, duke menduar për Allahun të pavërtetën, ashtu si mendonin paganët. Ata thoshin: “Ku është fitorja që na ishte premtuar?” Thuaju (o Muhamed!): “Të gjitha janë në dorë të Allahut!” Ata fshehin në vete atë që nuk duan të ta shfaqin ty. Ata thoshin: “Sikur të pyeteshim ne për këtë gjë, nuk do të vriteshim këtu”. Thuaju: “Edhe sikur të kishit qenë nëpër shtëpitë tuaja, prapëseprapë atyre që u është shkruar të vriten, do të dilnin në vendin e vrasjes.” Allahu e bëri këtë për të provuar atë që keni në kraharorët tuaj dhe për t’ju pastruar atë që keni në zemrat tuaja. Vërtet, Allahu e di mirë se ç’keni në zemër.[2]”
Këto ajete dhe kjo ngjarje në përgjithësi sqaron shumë qartë se Allahu i Lartësuar e cakton edhe të mirën edhe të keqen, por e keqja e caktuar nga Allahu nuk ndodh pse Ai e do atë (është i kënaqur me të), por ajo ndodh me vullnetin e Tij për shkaqe tjera dhe për të realizuar objektiva dhe synime, sikurse: tërheqja e vërejtjes mëkatarit, sprova e besimtarit, falja (fshirja) e mëkateve, etj. Në përgjithësi të këqijat, fatkeqësitë, mundimet, mërzitë, me të cilat goditet njeriu nuk janë se synohen ato drejtpërdrejt dhe ato nuk i do Allahu i Plotfuqishëm, por besimtari nëpërmjet këtyre pastrohet nga mëkatet, sprovohet dhe bënë sabër duke kërkuar shpërblim ndërsa jobesimtari me këto fatkeqësi dënohet e ndoshta ajo e keqe bëhet shkak që të këndellet dhe ti kthehet Krijuesit të tij.
Alaudin Abazi
[1] Prej ajetit 121, Ale Imran, pothuajse deri në fund të sures.
[2] Suretu Ale Imran. 152-154