1. Rëndësia e njohjes së dispozitave të ushqimeve dhe pijes
Ndër begatitë e Allahut ndaj robërve të Tij është se kur i krijoi ata u siguroi atyre lloje të ndryshme të ushqimeve dhe pijeve për të vazhduar jetën; u zbriti atyre shiun nga qielli, u nxori nga toka ushqimin, u krijoi atyre shtazë të ndryshme dhe i bëri ato të nënshtruara ndaj njeriut. Allahu i Lartësuar thotë: “O njerëz! Adhuroni Zotin Tuaj, që ju ka krijuar juve dhe ata që ishin para jush, që të mund të ruheni (nga të këqijat); që e ka bërë tokën për ju shtresë (të banoni në të) dhe qiellin kulm; që prej së larti zbret ujë dhe nëpërmjet tij bën që të rriten fruta si ushqim për ju. Prandaj mos sajoni me vetëdije zota të barabartë me Allahun.”[1] Gjithashtu thotë: “(Allahu) Është Ai që për ju ka krijuar çdo gjë që ka në Tokë.”[2]
Njeriu si falënderim ndaj mirësive të Krijuesit të tij të Lartmadhëruar është i detyruar të mësojë ligjin e Allahut dhe dispozitat e Tij, që kanë të bëjnë me ushqimet, në mënyrë që ai ti pasojë ato. Secili njeri e di se çdo gjë në jetë ka norma, rregulla dhe kufizime e gjithashtu edhe në ushqim e pije, por besimtari dallon nga të tjerët, se këto rregulla dhe norma i merr nga ligji i Allahut të Lartësuar, ndërsa të tjerët i marrin nga ligjet, të cilat i nxjerrin vetë njerëzit; me të vërtetë dallimi në mes këtyre dy gjërave është shumë i madh. Në vazhdim lexuesi do të ketë mundësinë të njihet me disa dispozita, të cilat kanë të bëjnë me therjen e kafshëve, meqë ekzistojnë shumë paqartësi në lidhje me këtë temë, posaçërisht në kohën e sotme, kur muslimani jeton në vende të ndryshme të botës dhe ballafaqohet me lloje të ndryshme mishrash dhe nuk di si të veprojë: a të hajë nga këto ushqime apo jo. Prandaj na duhet t’i sqarojmë disa gjëra që janë të rëndësishme të dihen në lidhje me dispozitat e prerjes së kafshëve.
2. Therja ligjore
Me therjen ligjore kemi si qëllim therjen e shtazëve, që lejohet ngrënia e tyre vetëm duke e bërë prerjen,[3] me kushtet që do t'i përmendim më poshtë. Therja ligjore është e domosdoshme, prandaj edhe dijetarët e fikhut janë në pajtim, se ajo kafshë që nuk është prerë sipas dispozitave të sheriatit, nuk lejohet ngrënia e saj. Argument për këtë kemi ajetin e Kuranit: “Është e ndaluar për ju ngrënia e cofëtinës, e gjakut, e mishit të derrit, e mishit të kafshës që është therur jo në emër të Allahut, e mishit të kafshës së mbytur lidhur në fyt, e mishit të kafshës që është rrahur dhe ka ngordhur, e mishit të kafshës që është vrarë nga rrëzimi apo nga brirët e kafshëve të tjera, e mishit të asaj që është kafshuar nga egërsirat - përveç atyre që i therni ju para se të ngordhin.”[4]
3. Kushtet e therjes së shtazës:
Kushtet që duhet të plotësohen gjatë therjes së kafshës ndërlidhen me:
1) Therësin, pra personi që e bën therjen.
2) Mjetin e therjes.
3) Mënyrën e therjes.
Në vazhdim do të përmendim kushtet që kanë të bëjnë me secilën nga këto tri gjëra, pa u thelluar shumë në shtjellimin e tyre.
1) Personi që do të merret me therjen duhet të plotësojë këto kushte:
a) Të jetë i mençur e i vetëdijshëm; nuk pranohet nëse prerjen e bën i çmenduri, i dehuri dhe fëmija i vogël, i cili nuk është i vetëdijshëm për atë që bën.
b) Të jetë musliman, ose nga Ithtarët e Librit (i krishterë apo çifut). Kështu, nëse personi që e bën therjen është ateist apo idhujtar, atëherë prerja e tyre është e ndaluar për muslimanin të hahet.
2) Mjeti me të cilin bëhet therja duhet të plotësojë këto kushte:
a) Therja të bëhet me mjet të mprehtë, kështu që të mundësohet rrjedhja e gjakut lirisht.
b) Kushtëzohet që mjeti të mos jetë prej dhëmbi, thoi apo kocke. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, thotë: "Ushqehu me atë (prerje) që e rrjedh gjakun, përveç mos të jetë (mjeti) nga dhëmbi dhe thoi"[5].
3) Kushtet që kanë të bëjnë me mënyrën e therjes
a) Të bëhet prerja e pjesëve të fytit, që të rrjedhë gjaku. Janë katër gjëra në fyt që priten gjatë therjes: kanali ku shkon ajri, kanali ku shkon ushqimi dhe dy kanale të gjakut. E mjaftueshme është që të priten tri nga këto katër kanale. Madje, disa dijetarë thonë se mjafton edhe nëse priten vetëm dy kanalet e gjakut, me argumentin se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: "Ushqehu me atë prerje që rrjedh gjakun" e rrjedhja e gjakut bëhet vetëm me prerjen e këtyre kanaleve.
b) Përmendja e emrit të Allahut para prerjes. Allahu i Lartësuar thotë: "Hani vetëm atë mish, gjatë therjes së të cilit është përmendur emri i Allahut”[6].
Këto janë kushtet e domosdoshme, të cilat duhet të plotësohen gjatë therjes së kafshëve dhe nuk jemi zgjeruar në përmendjen e argumenteve për secilin nga frika e zgjerimit.
Vazhdon...
Alaudin Abazi
[1] Bekare, 21-22.
[2] Bekare, 29.
[3] Sikurse lopa, delja, pula etj.
[4] Maide, 3.
[5] Buhariu dhe Muslimi.
[6] Enam, 118.