Hyrje
Metodologjia e Ehli Sunetit rreth problematikave të akides
Çdo musliman i sinqertë, i cili kërkon të kuptojë një problematikë që ka të bëjë me aspektin e besimit (akides), patjetër është i obliguar që para kësaj të kuptojë metodologjinë e saktë që duhet të pasojë në këtë gjë. Në fakt, edhe kjo metodologji (menhexh) e bën atë që të dallohet nga grupimet dhe sektet e shumta, të cilat, fatkeqësisht, si shkak i metodologjisë së gabuar që zgjodhën, devijuan nga e drejta. Pra, saktësia e metodologjisë sjell edhe konkluzione të sakta dhe e mbron hulumtuesin e së vërtetës që të mos bjerë në gabime dhe devijime të cilat e largojnë nga rruga e saktë (Tariku Mustekim).
Metodologjia e Ehli Sunetit gjatë shtjellimit dhe zbërthimit të çështjeve të besimit bazohet në parime të qarta dhe të definuara. Më thelbësorja në tërë këtë metodologji është se gjatë argumentimit ajo bazohet në fjalën e Allahut të Madhëruar (Kuran) dhe në thëniet e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, (në Sunet) dhe kjo është edhe besimi i muslimanëve të parë (sahabët, tabiinët dhe ata që i kanë pasuar në të mirë).
Mirëpo, këtu duhet të kemi parasysh edhe faktin se shumica e fraksioneve që i atribuohen Islamit thonë se argumentojnë me Kuran dhe Sunet, por megjithëkëtë në rezultate (konkluza) kemi ndryshime dhe devijime nga ata.
Arsyeja në këtë qëndron se këto fraksione para se të fillojnë të mbështeten e të argumentojnë me Kuran dhe Hadith, paraprakisht mbartin me vete ide, opinione dhe konkluza të prodhuara nga logjika e tyre dhe pastaj mundohen, duke hulumtuar në citatet sheriatike (Kuran dhe Hadith), që të gjejnë atë që përputhet me këto ide fikse dhe argumentojnë me to, ndërsa ato që nuk përputhen i anashkalojnë tërësisht. Kështu ata pretendojnë se janë mbështetur në Kuran dhe Hadith, por në fakt ata kanë marrë nga këto të dyja çfarë u përshtatej dhe lanë atë që nuk e pëlqyen.
Ndërsa Ehli Suneti për të arritur tek e vërteta u qaset citateve sheriatike larg çdo koncepti fiks, paraprak, dhe kështu arrin drejt tek e sakta të cilën na e tregon Allahu i Plotfuqishëm përmes shpalljes hyjnore.
Ehli Suneti konceptet rreth një problematike të caktuar i nxjerr duke i hulumtuar të gjitha citatet nga Kurani dhe Hadithi që flasin rreth asaj problematike, pastaj i vështron ato të gjitha së bashku dhe i studion duke krahasuar e përputhur domethëniet dhe nga ato nxjerr konkluzionet, pa u paraprirë atyre të vërtetave me ide të ngulitura në mendje.
Gjithashtu, këtu duhet të sqarohet edhe fakti se Ehli Suneti nuk e anashkalon logjikën dhe mendjen e shëndoshë, në të kundërtën, qasja ndaj argumenteve bëhet duke e përdorur mendjen dhe logjikën, por Ehli Suneti nuk pranon që peshorja esenciale të bëhet mendja e njeriut duke anashkaluar shpalljen, pasi ajo nuk është e përsosur ashtu siç nuk janë të përsosura asnjë nga cilësitë e tij (njeriut). Mendja dhe logjika ndikohet nga rrethi, vendi dhe koha në të cilin jeton, pastaj opinionet e tij janë rezultat i rrethanave të zhvillimit të mendjes dhe shumë indikacione të tjera, prandaj edhe nuk do ta arrijë gjithmonë t’ia qëllojë të saktës. Po të mos kishte nevojë mendja për drejtues, atëherë Allahu i Lartësuar nuk do të dërgonte Profetë dhe Libra, por secilit do t’i mjaftonte mendja dhe logjika e tij për ta gjetur besimin dhe të saktën.
Në këtë punim jemi munduar të bëjmë një përmbledhje rreth besimit të muslimanit në caktimin dhe vendimin e Allahut të Lartësuar (Kadanë dhe Kaderin). Besimi në këtë është njëra nga gjashtë kushtet themelore të imanit të muslimanit. Por, gjithashtu kjo është njëra nga çështjet në të cilën më së shumti kanë devijuar njerëzit që nga kohërat e hershme. Fraksionet më të mëdha që i atribuohen Islamit dhe që më së shumti i janë larguar atij, si çështje të parë që filluan ta keqinterpretojnë e të polemizojnë rreth saj, ishte çështja e Kadasë dhe Kaderit. Në këtë shkrim do të mundohemi të bëjmë një shpjegim rreth kësaj problematike duke pasuar metodologjinë e Ehli Sunetit dhe pasi i dedikohet çdo besimtari pa marrë parasysh njohuritë që i ka rreth Islamit, gjatë shtjellimit, nuk jemi zgjeruar, duke u ndalur në të gjitha pikat në të cilat kanë devijuar fraksionet e ndryshme Islame. Temat të cilat do të shqyrtohen në këtë punim janë:
- Besimi në Kadanë dhe Kaderin është shtylla e gjashtë e Imanit
- Shkallët (etapat) e besimit në Kadanë dhe Kaderin
- Kuptimi i drejtë i dëshirës dhe vullnetit të Allahut të Plotfuqishëm
- A është i lirë njeriu në veprimet e tij
- Arsyetimi me Kada dhe Kader
- Allahut nuk i atribuohet e keqja absolute
- Nëse Allahu e krijon edhe të mirën edhe të keqen atëherë pse e keqja i atribuohet njeriut, ndërsa e mira Allahut
- Përfundim
Lusim Allahun e Lartësuar të na japë sinqeritet në atë që themi e veprojmë dhe të na japë sukses në këtë botë dhe në botën tjetër!
Vazhdon...
Alaudin Abazi