Falënderimet i takojnë vetëm Allahut të Lartësuar. Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamedin alejhi selam, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Besoi që keni lexuar dhe dëgjuar shumë për këtë që po shkruaj, mirëpo desha të shfrytëzoj rastin që t’ju këshilloj dhe t’ju sugjeroj aq sa di dhe mundem, që të shmangeni dhe të distancoheni nga festimet dhe nga poshtërimet e vetvetes në ditët që po vijnë. O rob i Allahut, pse e poshtëron veten, pse bie në shkallën e të çmendurve? Pse, o rob i Allahut, bëhesh pjesë e festimeve të natës më të keqe të vitit, të natës në të cilën cenohet nderi, morali, personaliteti dhe pasuria jote? Oj krijesë e dobët, a do ta festosh natën në të cilën bëhet më së shumti amoralitet, prostitucion e shumë e shumë gjëra të tjera që e hidhërojnë Allahun e Madhëruar? Ti bëhesh pjesë e haramit edhe nëse nuk i bën këto gjëra, mjafton vetëm ta festosh atë në njërën nga mënyrat e festimit, qoftë ajo edhe më e thjeshta sipas vlerësimit të mendjes së njeriut, sepse nganjëherë disa gjëra të mëdha i vlerësojmë si të thjeshta ose e kundërta, ndërsa mëkatet e tjera janë evidente për çdo person që është pjesë e festimeve.
Oj krijesë e ndritur, pse po e poshtëron veten pasi Allahu i Madhëruar të ngriti, të përsosi dhe të bëri të ditur? A do festosh natën në të cilën pihet alkooli më shumë sesa uji, lëngjet dhe pijet e gazuara? Sa e sa njerëz dehen dhe keqtrajtojnë të afërmit e tyre? Sa rrahje bëhen atë natë, sa lëndime me fishekzjarrë? Aq sa me të vërtetë s’mund ta imagjinojmë.
Oj krijesë e Allahut, a ke vendosur ta festosh natën në të cilën nuk ka mëkat që ekziston dhe që nuk bëhet, ndoshta thua që pse mos të festoj edhe unë kur e gjithë bota është duke festuar? Ndoshta thua pse mos t’i bashkangjitem edhe unë familjes sime? Ndoshta pa dyshim kështu do të thuash mirëpo kujto një gjë: nëse e gjithë familja jote me pjesën më të madhe të njerëzimit është për në zjarr të xhehenemit, a do të dëshirojë të ishe edhe ti me ta? Jo ,për Zotin, kurrsesi! Prandaj llogarite në këtë mënyrë, shmangu nga ajo që ta humb bereqetin, që t’i shton dhimbjet e vdekjes, që t’i shton dënimet e varrit, që t’i shton vuajtjet e ditës së gjykimit, që t’i dridh këmbët në urën e Siratit, shmangu nga ajo e cila të rëndon peshojën e veprave të këqija, mos festo atë natë e cila është pjesë e autostradës dynja-varr-mahsherr-xhehenem.
Tani e ke të qartë që kjo natë është haram të festohet. Tani varet nga ju, a dëshironi të jeni rob i Allahut apo rob i shejtanit të mallkuar? Varet nga ju a dëshironi të fitoni kënaqësinë apo hidhërimin e Allahut? Nëse ende s’ke vendosur ç'të veprosh, ne po ju sugjerojmë: bashkojuni atyre që ecin dhe ju ftojnë edhe ju që të ecni drejt xhenetit dhe ikni nga ata të cilët ecin dhe vazhdimisht ju ftojnë që edhe ju të ecni drejt xhehenemit. Nëse nuk mund t’u ftoni të tjerëve ta bojkotojnë festimin e asaj nate, bojkotoje vetë, rri i vetëm, mirëpo dije që Allahu i Madhëruar është në çdo moment me ata që e duan Atë.
Nëse je prej atyre që do ta festosh vitin e ri, kujtoje hadithin ku Muhamedi alejhi selam ka thënë: "Nuk është prej nesh ai që u përngjan të tjerëve përveç nesh. Mos u përngjani çifutëve dhe të krishterëve." (Transmeton Tirmidhiu) O rob i Allahut të Plotfuqishëm, bojkotoje atë që është haram për ty dhe veproje atë që është hallall për ty, do të fitosh kënaqësinë e Allahut të Madhëruar dhe pas kënaqësisë së Allahut pason shpërblimi i Tij. E shpërblimi më i mirë është xheneti Firdeus. Kujto që festimi i vitit të ri është ndalës dhe pengesë për hyrjen tënde në xhenet. Sa pajtohesh ti me këtë? Sigurisht që nuk pajtoheni fare, mirëpo Allahu i Madhëruar është i Gjithëdijshëm, e di çfarë fshihni në zemrat tuaja, prandaj o rob i Allahut, fitoje kënaqësinë e ZOTIT tënd se më të vërtetë je një mysafir që së shpejti do të udhëtosh për në vendbanimin tjetër. Ki frikë Allahun kudo që të jesh, mos festo dhe mos vepro atë që është e dëmshme për dynjanë dhe ahiretin tënd, mos festo vitin e ri se vallahi mund të jetë pengesë e hyrjes sate në xhenet e nuk do të pajtohesh kurrë, por ky është zullumi që i bën njeriu vetvetes dhe që në fillim thashë mos e poshtëro veten tënde!
Allahu i Madhëruar është i Drejtë dhe i do të drejtët dhe nuk të bën padrejtësi kurrë, por ti i bën padrejtësi vetes tënde, prandaj me atë që ke vepruar do të shpërblehesh.
O rob i Allahut, ki frikë Allahun gjithnjë në kujtesë, ki frikë Allahun kudo që të jesh, pendohu dhe kërkoji falje Allahut të Madhëruar sepse Ai është që fal shumë dhe është i Gjithëmëshirshëm. O rob i Allahut, krenohu me fenë islame, krenohu me festat që duhet të festosh, krenohu me Fitër Bajramin dhe Kurban Bajramin, festa në të cilat gëzohen zemrat, vëllazërohen e bashkohen njerëzit, mbretëron qetësia, dashuria dhe harmonia ndërmjet njerëzve, festo këto dy festa që i ke hallall nga Allahu i Madhëruar dhe që ke shpërblim prej Tij. Bojkotoje festën e vitit të ri, festimi i së cilës e hidhëron Allahun e Madhëruar e pas hidhërimit pason edhe dënimi në të cilin nuk ka dyshim. Ju sugjeroj që këto ditë të jenë të zakonshme, si të gjitha ditët e tjera, mos i dallo këto ditë nga ditët e tjera dhe inshallah je prej atyre që nuk e feston vitin e ri. Nëse nuk të mjaftojnë t’i festosh Fitër dhe Kurban Bajramin, atëherë ti po kërkon diçka më shumë me çka Allahu i Madhëruar nuk është i kënaqur, feja islame është e kompletuar, prandaj nuk ke pse dhe çka të kërkosh më tepër dhe kujto që nëse kërkon diçka jashtë Islamit, atëherë ti po kërkon një fe tjetër e Allahu i Madhëruar në Kuran ka thënë: "Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t'i pranohet dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur.” (Maide, 3)
Nuk është për t’u çuditur nëse je prej atyre që do ta festosh vitin e ri pasi Muhamedi alejhi selam ka thënë: "Do të pasoni adetet e atyre që kanë qenë para jush pëllëmbë pas pëllëmbe e kut pas kuti, saqë po të hynin ata në vrimën e hardhucës, edhe ju do të hynit pas tyre." I thamë: "Kush janë ata, çifutët dhe të krishterët?" Tha: "Kush tjetër përveç tyre?" (Transmeton Buhariu) Kështu që ajetet e Allahut të Lartësuar janë shumë të qarta, po ashtu edhe hadithet e Muhamedit alejhi selam, prandaj shpresoj që e përfundova një pjesë të detyrës sime e tani mbetet nga ju që ta definoni dhe ta kërkoni të vërtetën, edhe pse e vërteta është shumë shumë e qartë. Pra bëni atë që dëshironi, unë vetëm ju këshillova që t’u shmangeni festimeve të kota, festimeve të ndaluara nga Allahu i Madhëruar. Shpresoj që ju është mbushur mendja të mos festoni atë që e hidhëron Allahun, krijuesin e çdo gjëje.
Kush i shan sahabët (shokët e Muhamedit alejhi selam), ai ka sharë Muhamedin alejhi selam dhe kush e shan Muhamedin alejhi selam, ai ka sharë Allahun e Madhëruar, E kush e shan Allahun, i ka shpallur luftë Allahut, por edhe Allahu i ka shpallur luftë atij, ndërsa largimi nga rruga e drejtë është mohim dhe kundërshtim i urdhrave të Allahut të Madhëruar, prandaj kujdes sepse edhe festimi i vitit të ri mund të jetë një sharje për Allahun dhe të Dërguarin e Tij, pasi vetë festimi i asaj që e ka ndaluar Allahu i Madhëruar është kundërshtim i fjalës së Tij.
Me plot kuptimin e fjalës, festimi i vitit të ri është haram pa pikë diskutimi dhe kush kërkon diskutim, kërkon ta ndryshojë të vërtetën. E le ta dijë që e vërteta është nga Allahu i Madhëruar e kush e ndryshon të vërtetën, do të ketë llogari para Allahut të Madhëruar. Nëse nuk mund t’i ndalosh të tjerët, së paku tregoju të vërtetën, nëse nuk mund ta bësh atë atëherë urreje me zemër, e nëse je prej atyre që feston, festo për vete e mos e ndrysho të vërtetën e ta bësh hallall atë që ka ndaluar Allahu i Madhëruar. Për në fund, ju kujtoj atë që ka thënë Allahu në Kuran: "O ju që keni besuar, keni frikë Allahun me një frikë të denjë dhe mos vdisni pos duke qenë muslimanë!" (Ali Imran: 102)
Lus Allahun e Madhëruar që të jetojmë dhe të vdesim si muslimanë. Lus Allahun e Madhëruar që muslimanët t’i bashkojë në litarin e Tij, që të na ngjallë zemrat tona dhe të na forcojë në Islam! Lus Allahun e Madhëruar që të na bëjë prej banorëve të xhenetit Firdeus! Amin!
Përgatiti për ju: Berat Shatri