Ndryshimi nga Zoti dhe ndryshimi nga njeriu
Në ajetin: "Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete." Kemi dy lloj ndryshimesh: atë të Zotit, në pjesën e parë të ajetit (Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli) dhe atë të njeriut, në pjesën e dytë (derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete).
Pra, kemi një ndryshim që bëhet nga Zoti dhe një tjetër që bëhet nga njeriu. Ne duhet të ndryshojmë veten, pastaj të presim ndryshimin e Zotit. Të presësh që Zoti do e ndryshojë gjendjen e këtij umeti, pa ndryshuar secili prej nesh veten, do të thotë të nëpërkëmbësh tekstin e këtij ajeti.
Me qëllim që Zoti ta ndryshojë gjendjen tonë, ne duhet t'i themi "Stop" pasivitetit vrasës që na ka mbërthyer. Të jeni të sigurt se pozitiviteti ynë do i shpëtojë vëllezërit tanë në Palestinë, në Irak dhe kudo tjetër.
Thotë Profeti alejhi selam: "Shembulli i atij që i respekton dispozitat e Zotit (njeriu pozitiv) dhe atij që i shkel ato është si shembulli i disa njerëzve të cilët udhëtojnë me anije. Disa prej tyre banojnë në kuvertën e anijes, kurse të tjerët poshtë. Sa herë që donin të furnizoheshin me ujë, udhëtarët që ndodheshin poshtë detyroheshin të ngjiteshin sipër, të shqetësonin të tjerët dhe më pas të zbrisnin sërish. Të ndjerë në siklet, disa thanë: "Do të ishte më mirë nëse do të hapnim një vrimë në anije, do të furnizoheshim më kollaj me ujë dhe nuk do i shqetësonim ata që janë në kuvertë. Nëse ata që janë në kuvertë i lejojnë ta bëjnë këtë, do të mbyten të gjithë. Por nëse i ndalojnë, do të shpëtojnë të gjithë."
Profeti alejhi selam sjell shembullin e anijes, pasi nga një e çarë anësore e saj, menjëherë shfaqen rrjedhojat dhe pasojat. E tillë është edhe shoqëria, një e çarë dhe një e krisur jep pasoja negative menjëherë. Nëse me të çarat e anijes, mbyten disa dhjetëra persona, me të çarat e shoqërisë, mbytet një brez i tërë, mbyten fëmijët tanë. Prandaj, sa herë të shohësh një të çarë në shoqëri, mos qëndro pasiv por reago, shkruaj një artikull, dërgo një letër, ngrije zërin. Edhe nëse nuk ndryshon gjë, të paktën do të dalësh para Zotit faqebardhë, me ballin lart.
"Ruajuni ngatërresave, të cilat nuk i godasin vetëm ata që bëjnë keq; dhe ta dini se Allahu dënon ashpër!" (Enfal, 25)
Profeti alejhi selam solli shembullin e anijes, pasi nëse ajo anohet, përmbytet. Po kështu edhe shoqëria, nëse anon më shumë nga veset e këqija dhe fenomenet negative, mbytet. Nëse shoqëria nuk e ruan ekuilibrin, ashtu si anija, mbytet. Që ky ekuilibër të ruhet, shoqëria ka nevojë për njerëz ekspertë, të cilët e studiojnë dhe japin recetat e duhura.
Është detyrë e secilit prej nesh të qenët pozitiv, që t'ua mësojë edhe fëmijëve. Nëse do të vazhdojmë me këtë pasivitet vrasës, humbëtira ku ndodhemi do të vazhdojë edhe për qindra vite të tjera.
Teuta Molla