Modele të njerëzve pozitivë
1 – Besimtari në familjen e faraonit. Siç e dimë, faraoni shprehu dëshirën për të vrarë Profetin Musa alejhi selam.
"Faraoni tha: “Më lini ta vras Musain e ai le ta thërrasë në ndihmë Zotin e vet. Unë vërtet druhem mos ai do t’jua ndryshojë fenë tuaj ose do të shkaktojë trazira në Tokë.” (Gafir, 26)
Por një person që punonte në pallatin e faraonit, i cili e kishte mbajtur të fshehtë besimin e tij gjer atëherë, e kundërshtoi faraonin duke i thënë: "Por një njeri besimtar, nga të afërmit e Faraonit, i cili fshihte besimin e vet, tha: “Vallë, do të vrisni një njeri vetëm se thotë “Allahu është Zoti im”, ndërkohë që ai ju ka sjellë shenja të qarta prej Zotit tuaj?! Nëse është gënjeshtar, atij i përket dënimi i gënjeshtrës së vet e nëse është i drejtë, atëherë juve do t’ju godasë diçka prej asaj me të cilën ju kërcënohet ai. Vërtet, Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë atë që e tepron me të këqija dhe është gënjeshtar." (Gafir, 28)
Ky besimtar vazhdoi të flasë dhe t'i këshillojë, derisa në fund u tha: "Ju së shpejti do ta kujtoni atë që po ju them! Unë çështjen time ia lë Allahut, sepse Ai i sheh vërtet robërit e Vet.” (Gafir, 44)
Për shkak se ai ishte pozitiv në shoqëri dhe nuk qëndronte pasiv, Zoti e shpërbleu. Këtë e shohim në ajetin që pason, ku Zoti thotë: "Dhe Allahu e ruajti atë prej të këqijave dhe kurtheve të tyre, ndërsa ithtarët e Faraonit i kaploi dënimi i vrazhdë." (Gafir, 45)
"Le të druajnë nëse ata lënë pas vetes fëmijë të mitur, duke u brengosur për ta, le të kenë frikë Allahun dhe le të flasin drejt." (Nisa, 9)
Ata që janë të varfër dhe i frikësohen të ardhmes për fëmijët e tyre, le të jenë pozitivë në shoqëri sepse Zoti do të kujdeset për ta.
2 – Besimtari në suren Jasin. Zoti i Madhëruar, dërgoi në një qytet dy Profetë në një kohë. Më pas, Zoti dërgoi edhe një të tretë, që t'ju vijë në ndihmë dy të parëve. Thotë Zoti rreth këtij fakti: "Ne u dërguam atyre dy vetë, që ata i quajtën gënjeshtarë. Pastaj i përforcuam të dërguarit me një të tretë e ata thanë: “Ne, me të vërtetë, jemi dërguar te ju!” (Jasin, 14)
Por banorët i refuzuan dhe i përgënjeshtruan. Një nga banorët e qytetit, vjen nga skaji më i largët dhe fillon t'i këshillojë bashkëqytetarët e tij, duke u kërkuar t'i besojnë të Dërguarit e Zotit.
"Dhe nga skajet e qytetit erdhi një njeri, duke nxituar dhe tha: “O populli im, ndiqni të Dërguarit!" (Jasin, 20)
Edhe pse nuk ishte profet, edhe pse në qytet ndodheshin tre të dërguar të Zotit, ai e ndiente përgjegjësinë dhe barrën për të përçuar fjalën e Zotit. Ai nuk mund të qëndronte pasiv ndaj asaj që po ndodhte. Bashkëqytetarët e tij po refuzonin thirrjen dhe fenë e Zotit, kështu që i duhej t'i këshillonte dhe orientonte nga më e mira.
Dhe nga skajet e qytetit erdhi një njeri, duke nxituar dhe tha: “O populli im, ndiqni të dërguarit! Ndiqni ata, që nuk kërkojnë prej jush kurrfarë shpërblimi e që janë në rrugë të drejtë! Përse të mos e adhuroj Atë, i Cili më ka krijuar e tek i Cili do të ktheheni të gjithë? Vallë, përse duhet të adhuroj zota të tjerë përveç Tij? Nëse i Gjithëmëshirshmi do të dëshironte të më godiste me ndonjë të keqe, ndërmjetësimi i atyre (zotave) nuk do të më sillte kurrfarë dobie e as që do të mund të më shpëtonin. Atëherë, unë do të isha me siguri në humbje të dukshme. Unë i kam besuar Zotit tuaj, andaj, më dëgjoni!” (Jasin, 20-25)
A je pozitiv edhe ti o vëlla dhe oj motër? A ke guxim t'i thuash atij që pi duhan në ambiente të mbyllura "Të lutem, a mund ta fikësh cigaren se më shqetëson!" A mund t'i edukosh fëmijët e tu me frymën e të qenët pozitiv? A e ke të mundur të ndryshosh veten, duke filluar që në këto çaste?
3 – Pupëza e Sulejmanit alejhi selam. Gjendja e umetit musliman do të ishte shumë herë më mirë, nëse ne si muslimanë do të ndjenim përgjegjësinë e një shpendi si pupëza.
Një ditë, Sulejmani i kishte mbledhur të gjithë ushtritë e tij dhe po verifikonte nëse ka ndonjë mungesë. Gjatë fluturimit, pupëza kishte vënë re nga larg, një qytet ku njerëzit adhuronin diellin. Ai vajti tek ky qytet dhe pasi mblodhi informacionin e duhur, u paraqit para Sulejmanit dhe i tha duke justifikuar vonesën:
Nuk vonoi shumë e ajo erdhi dhe tha: “Kam marrë vesh diçka që ti nuk e ke ditur dhe të kam sjellë lajme të vërteta prej (qytetit të) Shebës. Kam parë një grua që sundonte popullin (e atij qyteti). Ajo zotëronte çdo gjë dhe kishte një fron madhështor. Kam parë se ajo dhe populli i saj adhuronin Diellin e jo Allahun. Djalli ua paraqiste të bukura sjelljet e tyre, duke i larguar nga rruga e drejtë, prandaj nuk ishin të udhëzuar."
Duke qenë se ishte pozitiv, ai shprehte keqardhjen se përse ky popull nuk e adhuronte Zotin, një dhe të vetëm, që ka në dorë dhe di gjithçka.
”Ata nuk i përuleshin në sexhde Allahut, i Cili nxjerr gjithçka që është e fshehur në qiej dhe në Tokë dhe di çfarë fshihni ju dhe çfarë tregoni haptazi. Allahu është Një, s’ka zot të vërtetë përveç Tij, Zotit të Arshit të madh!” (Neml, 25-26)
Ajeti 26 është nga ato ajete ku lexuesi urdhërohet të bëjë sexhde.
4 – Milingona. Në Kuran, përmendet shembulli i një milingone e cila ishte pozitive dhe kontribuonte në mbrojtjen e shoqeve të saj nga çdo e keqe.
Kur arritën në Luginën e Milingonave, një milingonë tha: “O milingona, hyni në banesat tuaja, që të mos ju shkelë Sulejmani dhe ushtria e tij, duke mos ju parë! Ai vuri buzën në gaz, duke qeshur me fjalët e saj." (Neml, 18)
Për shkak të kësaj milingone, njërës nga suret e Kuranit, Zoti i ka vënë emrin e saj.
5 – Habab ibnu Mundhir. Beteja e Bedrit ishte përplasja e parë mes muslimanëve dhe idhujtarëve. Plani i luftës ishte që ushtria muslimane të rreshtohej duke i pasur puset e Bedrit para. Pra, puset do të ishin në mes të ushtrisë muslimane dhe asaj të kurejshëve.
Një nga shokët e tij Habab ibnul Mundhir e pyeti: “O i dërguar i Zotit. A është një vend që të ka urdhëruar Zoti të qëndrosh dhe të heshtim, apo është plan dhe mendim i yti?”
Profeti alejhi selam ia ktheu: ”Jo, është plani dhe mendimi im.”
Habab ibnul Mundhir i tha përsëri: ”Nëse është plani dhe mendimi yt, ky nuk është vendi i përshtatshëm për luftë.”
Të jesh pozitiv, nuk do të thotë të reagosh ashpër ndaj fenomeneve dhe akteve negative. Të jesh pozitiv, do të thotë të reagosh me edukatë dhe mirësjellje, gjë të cilën e shohim të pasqyruar në fjalët e Habab ibnu Mundhi. Beteja e Bedrit, u fitua nga muslimanët, falë ndihmës së Zotit dhe kontributit të muslimanëve, por edhe falë ndërhyrjes së Habab ibnu Mundhir.
6 – Nuajm ibnu Mes'ud. Ai e pranoi Islamin gjatë kohës kur idhujtarët e Mekës dhe aleatët e tyre kishin rrethuar Medinën, në betejën e Hendekut. Ai vajti tek Profeti alejhi selam dhe i tha: "O i Dërguar i Allahut! Unë kam pranuar Islamin."
Profeti alejhi selam i tha: "Ti je vetëm një person o Nuajm! Shih se çfarë mund të bësh për të na ardhur në ndihmë!"
Nuajmi vajti tek idhujtarët dhe tek hebrenjtë dhe arriti të mbjellë mes tyre dyshime dhe frikë nga njëri-tjetri. Ishte kjo ndërhyrje ajo që bëri ushtrinë aleate të tërhiqej nga kufijtë e Medinës.
7 – Në një vend arab, para shumë viteve, njerëzit nuk faleshin dhe e neglizhonin këtë rit kaq të rëndësishëm. Madje, nëse dikush falej të tjerët talleshin me të dhe e ironizonin. Ata që faleshin, ishin vetëm disa pleq në prag të vdekjes. Një i ri nga një vend tjetër arab, shkon në vendin në fjalë për studime. Me të filluar shkollën, ai interesohet nëse aty pranë gjendet ndonjë xhami ku mund të falej. Një punëtor i thotë se xhamia ndodhej larg, por mund të falej vetëm në bodrumin e fakultetit. Djali zbret në bodrum, gjen një pëlhurë të vjetër të cilën e përdor si sixhade dhe fillon të falet. Pasi u fal disa ditë në bodrum, vendos të mos falet më në atë vend, por të falet në një nga ambientet e lira të fakultetit. Duke qenë se në fakultet salloni ishte i madh, i riu thërret ezanin e drekës për herë të parë. Më pas, thirri edhe ikametin dhe filloi të falej vetëm. Studentët dhe punonjësit filluan ta shohin gjithë habi. Të njëjtën gjë bëri edhe tri ditët e tjera. Ditën e katërt, atij iu bashkëngjit edhe një nga punëtorët që merrej me pastrimin e fakultetit. Një javë më pas, numri i atyre që faleshin me të u rrit dhe u formua një rresht. Javët në vazhdim rreshtat u shtuan dhe bashkë me ta falej edhe një nga profesorët. Duke qenë se numri u shtua shumë, administrata mendoi të ndërtojë një xhami. Pas disa kohësh u ndërtua xhamia dhe filloi të funksionojë menjëherë. Diçka e tillë shkaktoi xhelozinë e fakulteteve të tjera, të cilat filluan të krijojnë hapësira dhe ambiente për ata që dëshirojnë të falen.
Ky i ri, mund të ketë ndërruar jetë tashmë, por sevapin dhe shpërblimin vazhdon ta marrë. Shpërblimi i namazeve që falen në atë xhami, i shkon edhe atij. Ky ishte një model tjetër i njerëzve pozitivë.
Sot, njerëzit e ligë dhe të degjeneruar kanë ngritur flamurin e tyre dhe kanë gjetur mbështetës dhe përkrahës. Kurse njerëzit e mirë dhe të ndershëm u vjen zor të ngrenë flamurin e nderit dhe pastërtisë morale.
E lusim Zotin që të na bëjë besimtarë pozitivë, që të kontribuojmë në rimëkëmbjen e vendeve tona!
Teuta Molla